26-27.05.2025 - SESION TRAJNUES ME TEMË:“TEKNIKAT MIQËSORE TË INTERVISTIMIT TË TË MITURVE NË PROCESET FAMILJARE/CIVILE DHE PENALE DHE ZBATIMI I PARIMIT TË PJESËMARRJES SË FËMIJËVE”

Ky aktivitet dy ditor u zhvillua nga ekspertët: 

Mariana Semini, Arta Mandro dhe Amarildo Laçi. 

Në kuadër të bashkëpunimit të Shkollës së Magjistraturës me Terre des Hommes u zhvillua aktiviteti me temë: “Teknikat miqësore të intervistimit të të miturve në proceset familjare/civile dhe penale dhe zbatimi i parimit të pjesëmarrjes së fëmijëve”. 

Ky trajnim i dedikuar  për kandidatët e vitit të dytë u zhvillua në dy ditë, në datat 26 dhe 27 maj 2025. 

Qëllimi i këtij trajnimi ishte aftësimi i kandidatëve për magjistratë me teknikat miqësore të intervistimit të të miturve, si dhe me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin shqiptar në lidhje me parimin e pjesëmarrjes së fëmijëve. 

Gjatë këtij aktiviteti u trajtuan disa çështje të rëndësishme, si: 

  • Standardet ndërkombëtare lidhur me parimet e drejtësisë miqësore për të miturit. 
  • Legjislacioni shqiptar (Kodi i Procedurës Penale, Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur, Kodi i Familjes, ligji nr. 18/2017 etj.) dhe rregullat mbi pyetjen, pjesëmarrjen dhe intervistimin e të miturit;
  •  Intervistimi me fokus mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijës;
  • Kuptimi, ndërlidhja dhe dallimet: intervistim, pjesëmarrje, pyetje, shprehje mendimi, dhënie pëlqimi, dëshmi, dëgjim dhe respektimi i mendimit të fëmijës, në përputhje me moshën dhe aftësinë e tij për të kuptuar etj.;
  • Mjedisi, sjellja, qëndrimi, gjuha, pyetjet, pushimet etj. – gjatë intervistimit.
  • Intervistimi varësisht pozitës procedurale të të miturit gjatë procesit penal sipas Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur:
  • I mituri në konflikt me ligjin; 
  • I mituri viktimë ose dëshmitar;
  • Veçoritë e intervistimit sipas grupmoshës; 
  • Intervistimi i të miturit në çështje të lidhura me dhunën në familje, lejimit të martesës nën moshë, zgjidhjes së martesës dhe pasojave të saj etj.

Në këtë aktivitet u përdorën metoda të kombinuara të shpjegimit, diskutimit, analizës, duke përfshirë analiza teorike dhe praktike të shoqëruara me shembuj praktikë, ushtrime, ku pjesëmarrësit ishin aktivë gjatë gjithë kohës, duke marrë pjesë në diskutim me njëri-tjetrin dhe me ekspertët.